Kobra, një burrë i paraqitur si snajperist me origjinë nga Bosnje dhe Hercegovina, mund të jetë Petar Popoviqi nga Derventa, i cili kërkohet nga drejtësia e vendit. Ky është përfundimi i një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë (REL), i cili krahasoi të dhënat që burri dha për veten me informacionet zyrtare për Popoviqin.
Kobra u shfaq në një dokumentar të televizionit rus Zvezda, të transmetuar për herë të parë më 6 shtator. Sipas dokumentarit, ai shkoi të luftonte në Ukrainë në fund të vitit 2022, së bashku me vullnetarin serb Marko Matoviqin. Matoviqi u vra në fillim të vitit 2025, gjatë luftimeve në rajonin rus të Kurskut. Në dokumentar, Kobra thotë se nuk mund të mjaftohej vetëm me një falënderim ndaj Rusisë dhe se do të luftonte deri në fund.
Dokumentari i lidh marrëdhëniet historike mes serbëve dhe rusëve, përfshirë luftërat e viteve ’90 në ish-Jugosllavi, me pjesëmarrjen e sotme të vullnetarëve serbë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Pjesëmarrja e tyre paraqitet si mënyrë për t’ia kthyer Rusisë ndihmën që, sipas rrëfimit të dokumentarit, ajo u ka dhënë serbëve ndër vite. Bashkimi Evropian e sanksionoi Zvezdën në vitin 2023, me arsyetimin se kanali kontrollohet nga Ministria ruse e Mbrojtjes dhe përhap propagandë për agresionin rus kundër Ukrainës.
Dokumentari thotë se Kobra ka përvojë luftarake dhe arsimim të lartë ushtarak, si dhe se ka shërbyer për vite në një njësi elitare të Ushtrisë së Serbisë, përgjegjëse për mbrojtjen e zyrtarëve më të lartë shtetërorë. Ai tregon se e njohu Matoviqin gjatë stërvitjeve ushtarake në Serbi dhe se ishte dëshmitar i vrasjes së tij në Kursk.
Personi që komunikon përmes profilit të Instagramit kobrasniper333 i konfirmoi REL-it se është ushtari i njohur si Kobra, por nuk zbuloi identitetin e plotë dhe nuk pranoi të zhvillonte intervistë me video. Ai tha se ka lindur më 1988, është nga Derventa dhe u largua nga qyteti në 2002. Nuk pranoi të tregonte se në cilën brigadë të ushtrisë ruse shërben. Dokumentarin e shpërndau edhe në kanalin e tij në YouTube, “VDV-sniper”, ku në 2019 publikoi dy video ku shfaqet me motoçikletë në Derventa.
Kërkesa për fletarrestim
Në maj të vitit 2025, Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës i kërkoi Gjykatës së vendit të lëshonte fletarrestim ndërkombëtar për Popoviqin, dhe kërkesa iu përcoll INTERPOL-it. Organizata e refuzoi kërkesën, duke iu referuar rregullit që e ndalon përfshirjen në raste me karakter politik, ushtarak, fetar ose racor. Prokuroria i tha REL-it se çështja mbetet e hapur dhe se po ndërmerren veprime për gjetjen dhe ndjekjen penale të tij.
Sipas burimeve të sigurisë ukrainase, Popoviqi nënshkroi kontratë me forcat ruse më 17 gusht 2023. Nuk dihet se kur dhe në çfarë rrethanash u largua nga Bosnje dhe Hercegovina.