Sipas raportimeve të televizionit N1 dhe hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, dy persona, të identifikuar si Nikolla Millutinoviq dhe Damjan Vukiçeviq, dyshohet se ofrojnë shërbime sigurimi për Zvonko Vesellinoviqin dhe Millan Radoiçiqin. Analizat me teknologjinë e njohjes së fytyrës dhe dokumentimi i fotografive nga tubimet e Partisë Përparimtare Serbe e kanë vendosur Millutinoviqin pranë Vesellinoviqit.
Ndërsa Millutinoviqi është shfaqur në fotografi të mëparshme si pjesëtar i uniformuar i Xhandarmërisë, në rastin e shoqërimit të dyshes ai është parë me rroba civile, çka e bën të vështirë konfirmimin nëse ai ishte pjesëtar aktiv i policisë speciale në atë kohë. Nga ana tjetër, Damjan Vukiçeviq është lidhur me njësinë e Xhandarmërisë në Kralevë, bazuar në të dhënat publike nga mediat dhe rrjetet sociale. Të dy këta individë, sikurse edhe Vesellinoviq e Radoiçiq, kanë origjinë nga Kosova.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit për vepra penale që ndërlidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Millan Radoiçiq është gjithashtu subjekt i një urdhërarresti ndërkombëtar nga Interpol-i për rolin e tij në sulmin e armatosur në Banjskë të Kosovës, në shtator të vitit 2023.
Autoritetet në Serbi, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, kanë hedhur poshtë pretendimet se njësitë speciale të policisë po sigurojnë dyshen e lartpërmendur. Gjithashtu, presidenti serb ka deklaruar publikisht se nuk i konsideron Vesellinoviqin dhe Radoiçiqin si “kriminelë”. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk u është përgjigjur pyetjeve lidhur me angazhimin e këtyre individëve në mbrojtjen e personave nën sanksione.