Gjykata e Sarandës ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj pronarit të lokalit “Orange”, Spiro Iljadhi, dhe menaxherit të tij, Ermal Vata. Të dy personat po hetohen për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, në lidhje me ngjarjen e dhunimit të shefit të Krimeve të Komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli, më datë 16 gusht.
Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi kur oficeri i policisë ndërhyri për të shuar një konflikt fizik në ambientet e lokalit dhe, pavarësisht identifikimit si punonjës i rendit, ai u godit nga personat e përfshirë në përplasje. Për këtë rast, institucionet e drejtësisë kishin caktuar më parë masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 persona të tjerë, të akuzuar për “Goditje për shkak të detyrës”, ndërsa një shtetas tjetër vijon të jetë në kërkim. Pas vendimit të fundit, Spiro Iljadhi dhe Ermal Vata do të vijojnë të hetohen në gjendje të lirë, me detyrimin për t’u paraqitur pranë organeve ligjzbatuese.