Gjykata e Apelit e SHBA-së për Qarkun e Nëntë pezulloi përkohësisht urdhrin për rihapjen e regjistrimeve të lotarisë Green Card për vitin 2027. Vendimi i lejon qeverisë amerikane ta mbajë programin të pezulluar derisa të shqyrtohet ankesa e saj.
Gjykata pezulloi udhëzimin e gjykatës më të ulët drejtuar Departamentit të Shtetit për të shpallur dhe hapur regjistrimet. Vendimi nuk e mbyll çështjen, por ndalon përkohësisht zbatimin e urdhrit për rihapjen e programit, ndërsa procesi ligjor vijon. Sipas raportimeve, vendimin e mori një trupë prej tre gjyqtarësh.
Çështja nisi pas padisë së ngritur në gusht nga firma ligjore Red Eagle Law kundër Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për mosnisjen e regjistrimeve për lotarinë e vitit 2027. Gjykata më e ulët kishte vlerësuar se Departamenti i Shtetit nuk kishte dhënë shpjegime për mosnisjen e aplikimeve dhe e kishte cilësuar këtë veprim si anulim de facto të programit.
Përfaqësuesi i palës paditëse ka deklaruar se beteja ligjore do të vazhdojë për të mbrojtur të drejtat e personave të përzgjedhur.
Programi i Vizave të Diversitetit, i njohur edhe si lotaria Green Card ose Lotaria e Kartës së Gjelbër, ofron çdo vit deri në 55 mijë viza për shtetas të vendeve me nivele historikisht të ulëta emigrimi drejt Shteteve të Bashkuara.
Më 18 dhjetor 2025, administrata e Donald Trump njoftoi pezullimin e përkohshëm të programit. Sipas burimeve, pezullimi u bë me urdhër të presidentit dhe përmes Sekretares së atëhershme të Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem.