Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpallën fajtorë dhe dënoi me 20 vjet burg secili të pandehurit V.D. alias L. dhe A.G.. Vendimi u mor me kërkesë të Prokurorisë pranë kësaj gjykate, në përfundim të procedimit penal nr. 1795 të vitit 2019.
Të pandehurit u dënuan për veprat penale «Vrasja me paramendim», e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/2, 22, 25, si dhe «Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit», sipas nenit 278/1 të Kodit Penal.
Hetimet vërtetuan se V.D. alias L., me qëllim për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së vëllait të tij G.L., bashkëpunoi me A.G. për të kryer vrasjen e shtetasit A.H.. Më 30 dhjetor 2019, rreth orës 17:50, në vendin e quajtur Dukas-Breg në Patos, A.G. u afrua pas sigurimit të identitetit të shënjestrës dhe qëlloi tre herë me armë zjarri në drejtim të tij.
Si pasojë, A.H. mbeti i plagosur me armë në krahun e majtë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shprehu angazhimin për të vënë para përgjegjësisë ligjore personat që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.