Gjykata e Lartë ka marrë vendimin për të rikthyer në Apelin e GJKKO-së çështjen ndaj 10 personave të akuzuar për abuzime me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, me një fond limit prej 2.8 miliardë lekësh.
Të pandehurit në këtë procedim janë ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari, si dhe nëntë zyrtarë të tjerë: Anisa Bogdani, Ani Omuri, Aurora Mulla, Flutura Çekrezi, Kleivis Hasani, Kreshnik Bejkaj, Gëzim Mingaj, Fatmir Demneri dhe Mariglen Buzali. Lidhur me trupën gjykuese, është raportuar se shtetasit Fatmir Demneri dhe Mariglen Buzali do t'i nënshtrohen gjykimit nga një trupë tjetër.
Sipas hetimeve të SPAK, zyrtarët akuzohen se kanë ndryshuar kriteret e tenderit për të favorizuar një kompani garuese. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme bëri bashkimin e tre loteve (uniformat, këpucët dhe shpërndarja) në një kontratë të vetme, veprim që rezultoi në rritje të çmimit, pakësim të materialeve dhe ulje të cilësisë së tyre.
Kjo dosje shkon sërish në shkallën e apelit pas vendimit të dhjetorit 2021 nga Gjykata e Posaçme, e cila i shpalli fajtorë të akuzuarit, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli i GJKKO-së në shtator të vitit 2022.