Gjykata e Lartë rrëzoi të enjten rekursin e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë "arrest në burg". Ish-presidenti, kreu i Partisë së Lirisë, mbetet në paraburgim që nga tetori 2024.
Meta kërkoi heqjen e masës, duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për ta mbajtur në qeli, si dhe se masa është e pajustifikuar dhe jo proporcionale me rrethanat. Gjykata supreme nuk i mori parasysh pretendimet e tij.
Ky është vendimi i dytë i Gjykatës së Lartë kundër Metës për masën e sigurisë. Më parë, rekursi i tij është rrëzuar nga të tre shkallët e gjyqësorit. Ai ka hequr dorë nga një kërkesë e ngjashme në GJKKO dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme përmbylli seancën paraprake për Ilir Metën, ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhin dhe tre të pandehur të tjerë. Të mërkurën e ardhshme, kjo gjykatë do të vendosë nëse kalon dosjen penale për gjykim.
Ndaj Metës rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Hetimet e SPAK-ut bazohen në tre çështje: CEZ-DIA, lobimi i LSI-së në SHBA dhe hetimi pasuror.