Tetsuya Yamagami, 45 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Distriktit të Narës për vrasjen e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe.
Yamagami qëlloi Abe-n nga afër me një armë të improvizuar gjatë një fjalimi elektoral në qytetin e Narës, në korrik të 2022-s. Ish-kryeministri ndërroi jetë pak orë më vonë. Sulmi u krye në mes të një turme njerëzish. Gjyqtari e cilësoi krimin si të paramenduar, jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe keqdashës.
Autoritetet thanë se Yamagami e kishte ndërtuar vetë armën dhe kishte pritur momentin e duhur për të vepruar. Ai u arrestua në vendngjarje dhe u akuzua për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Gjatë hetimeve, Yamagami deklaroi se e kishte shënjestruar Abe-n për shkak të lidhjeve të supozuara të ish-kryeministrit me Kishën e Unifikimit, një sekt fetar. Ai e fajësonte kishën për shkatërrimin financiar të familjes së tij. Pas vrasjes, qeveria japoneze hapi hetime ndaj kishës, të cilat çuan në vendim për shpërbërjen e saj. Ky vendim aktualisht është në apel.
Shinzo Abe ishte kryeministri më jetëgjatë në historinë e Japonisë moderne dhe një figurë kyçe në politikën rajonale dhe globale. Vrasja e tij pati pasoja politike në Japoni.