Në ambientet e Gjykatës së Sarandës po zhvillohet seanca për caktimin e masave të sigurisë ndaj 11 personave të ndaluar, në lidhje me vrasjen e një turisti të huaj në kompleksin luksoz "Principote" në Ksamil. Ngjarja ndodhi pas një konflikti në kulmin e sezonit turistik, ku humbi jetën i riu që kishte mbërritur në Shqipëri përmes një agjencie turistike.
Ndër të arrestuarit, përveç autorit të dyshuar Sokrat Vata, ndodhen edhe dy shtetas turq, të akuzuar për tentativë transportimi të autorit drejt Tiranës, disa kamerierë të kompleksit, si dhe efektivë të Policisë së Shtetit që punonin si truproja në këtë objekt. Përveç të ndaluarve, autoritetet kanë shpallur në kërkim Danjel Gjanën, i cili njihet edhe me emrin Davidi Heurtevent dhe posedon pasaportë britanike.
Prokuroria ka ngritur akuza të ndryshme për të përfshirët, përfshirë "vrasje" për Sokrat Vatën, ndërsa të tjerët akuzohen për "përkrahje të autorit të krimit", "moskallëzim krimi" dhe "mosmarrje e masave për ndërprerjen e paligjshmërisë".
Momenti i mbërritjes së të ndaluarve është shoqëruar me tensione jashtë gjykatës. Familjarët kanë shprehur mbështetjen e tyre, ku një grua dëgjohet duke thënë: "Sokrat, jemi këtu o shpirt", ndërsa një burrë i është drejtuar atij në gjuhën turke me thirrjen: "Sokrat, abi". Përplasje verbale janë raportuar gjithashtu mes të afërmve të të arrestuarve dhe përfaqësuesve të medias.
Përditësime
Gjykata e Sarandës vendosi masat e sigurisë për 11 të arrestuarit lidhur me ngjarjen në kompleksin Principote. Togat e zeza lanë në 'arrest në burg' shtetasit Sokrat Vata, Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu. Gjykata caktoi 'arrest në burg' për një afat 45-ditor për Ildi Cekanin dhe Ardit Kasemin. Luciano Seferi, Moisi Matushaj, Romeo Shehu, Murat Zhabina dhe Kristo Kosho do të hetohen në gjendje të lirë me masën 'detyrim për t'u paraqitur'. Gjatë seancës, i dyshuari Sokrat Vata pretendoi se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes pas një konflikti të mëparshëm me shtetas francezë.
Sokrat Vata kërkoi ndjesë publike ndaj familjarëve të viktimës gjatë seancës gjyqësore, duke shprehur pendesë për ngjarjen. I pandehuri, i cili u shfaq me gishtërinj të fashuar, paraqiti versionin e tij mbi konfliktin në kompleksin Principote. Vata deklaroi se përplasja filloi pasi një grup turistësh francezë refuzuan të ndërprisnin zhurmën. Ai pretendoi se viktima posedonte një thikë, të cilën ia mori pas një përleshjeje fizike. Sipas dëshmisë së tij, ai u godit me shkelm në nofull dhe ka vepruar instinktivisht për t'u mbrojtur, pa mbajtur mend dinamikën e saktë të goditjes fatale.
Hetimet zbardhën identitetin e viktimës, i cili është Luis Miguel Varela Mendes, 20 vjeç, shtetas portugez. I dyshuari kryesor, Sokrat Vata, rrëfeu para hetuesve rrethanat e konfliktit, duke pretenduar gjendje të rënduar psikologjike dhe shok. Dëshmitari Nuh Mahmutoglu deklaroi se Vata i kishte kërkuar ndihmë pas incidentit, duke sajuar një version të rremë për një rrëzim nga motori. Të ndaluarit e tjerë në procesin gjyqësor kanë mohuar në mënyrë kategorike se kanë qenë dëshmitarë okularë të momentit të përleshjes.