Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për Eduart Afmatajn, i cili dyshohet si autor i vrasjes me armë zjarri të shtetasit Artur Çangu. Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në Nikël të Fushë-Krujës.
Sipas hetimeve paraprake, shkak për ngjarjen është bërë një konflikt për çështje pronësie. Përplasja mes palëve, e cila kishte nisur ditë më parë, ka degraduar në një debat verbal që më pas eskaloi në përdorimin e armës së zjarrit, duke çuar në vrasjen e Artur Çangut.
Eduart Afmataj u arrestua nga policia më 10 prill në fshatin Bruzë-Mal, pas kontrolleve intensive. Burime bëjnë me dije se, menjëherë pas ngjarjes, i dyshuari kishte njoftuar vetë policinë për krimin, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes. Aktualisht, policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të dokumentuar dinamikën e plotë të kësaj ngjarjeje.