Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" pa afat për shtetasin turk Barkay Gulbas. Vendimi është marrë gjatë një seance me dyer të mbyllura nga gjyqtari i gatshëm, pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës të përfaqësuar nga prokurori Francesk Ganaj.
I dyshuari është prangosur rreth një muaj më parë, konkretisht më 10 korrik 2026, pasi rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet zvicerane për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentativë". Fillimisht, ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë me afat 40-ditor.
Gjatë seancës, organi i akuzës kërkoi ndryshimin e kësaj mase në "arrest me burg" pa afat, duke argumentuar se Ministria e Drejtësisë e Zvicrës ka konfirmuar zyrtarisht vullnetin për ekstradimin dhe dorëzimin e të dyshuarit. Nga ana tjetër, Barkay Gulbas kërkoi rrëzimin e kërkesës së prokurorit, duke pretenduar mundësinë e kthimit në vendlindjen e tij, në Turqi. Gjykata e refuzoi këtë kërkesë dhe pranoi atë të prokurorisë, duke vendosur që shtetasi turk të qëndrojë në qeli deri në përmbylljen e procedurave ligjore për ekstradimin e tij drejt shtetit zviceran.
Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Përditësime
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar zyrtarisht lejimin e ekstradimit drejt Zvicrës të shtetasit turk Barkay Gulbas. Siç raporton gazetarja Anila Hoxha, organi i akuzës i ka kërkuar gjykatës hapjen e procedurave të dorëzimit, ndërsa vijon mbajtja e tij në masën e sigurisë "arrest me burg".