Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka rrëzuar njëzëri aktin e parë të Legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, të miratuar në shtator për rikompozimin e komisioneve të përhershme parlamentare nga 8 në 11. Vendimi konstatoi dhunimin brutal të rregullave të parlamentarizmit, cenimin e parimit të demokracisë përfaqësuese, lirisë së shprehjes së deputetëve, si dhe shkeljen e procedurave për thirrjen e mbledhjes dhe miratimin e akteve.
Deputeti i Partisë Demokratike (PD), Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar demokratik, ka reaguar në një postim në Facebook. Ai thekson se ky vendim vërteton shqetësimet e ngritura prej kohësh për degradimin e Kuvendit, i cili sillet si strukturë njëpartiake që shpërfill rregullat e bashkëjetesës mes forcave politike dhe imponon vendime pa debat me forcën e numrave.
Sipas Bardhit, ky nuk është parlamentarizëm, por banditizëm. Ai rikujton se në vitin 2012, Komisioni Europian kushtëzoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë me ndryshime konsensuale në Rregulloren e Kuvendit. Sot bashkëpunimi parlamentar është zhbërë, Kushtetuta shkelet hapur dhe dialogu zëvendësohet nga imponimi i vullnetit të shumicës.
Bardhi shton se mazhoranca, ende pa u shpallur zyrtarisht vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, ka paralajmëruar miratimin e ri të të njëjtit akt pa diskutim. Ai kërkon reagim të qartë në mbrojtje të parimeve të balancës institucionale dhe standardeve europiane, duke theksuar se "Europa nis aty ku mbrohet parlamentarizmi".