Gjykata Kushtetuese zhvillon sot, në orën 10:00, seancë për shqyrtimin e ndryshimeve të njëanshme në Rregulloren e Kuvendit.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të përfaqësohet nga kryetari Gazment Bardhi dhe këshilltari Marash Logu.
Sipas Partisë Demokratike, vendimi për ndryshimin e Rregullores cënon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Ky vendim reflekton një ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv në kompetencën kushtetuese të pushtetit legjislativ për vetërregullimin e organizimit dhe funksionimit të tij.
Partia Demokratike kërkon:
• Shfuqizimin e vendimit nr. 57, datë 16.09.2025, të Kuvendit të Shqipërisë "Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, 'Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë', të ndryshuar", si i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë.
• Pezullimin e këtij vendimi deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Përditësime
Gjykata Kushtetuese ka nisur seancën për ankesën e 39 deputetëve të PD-së kundër ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit.
Mazhoranca i miratoi këto ndryshime në fillim të legjislaturës së re, duke krijuar tensione në Parlament. Ato u miratuan 5 ditë pas fjalimit të Edi Ramës në Asamblenë Kombëtare të PS-së.
Marash Logu deklaroi se përqendrimi i pushtetit krijon kushtet për shpërdorimin e tij.