Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë urdhëroi më 1 nëntor 2026 lirimin e menjëhershëm të O. Ç., i arrestuar më 29 tetor 2026 gjatë protestave. Gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë dhe, pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë, caktoi ndaj tij dy masa sigurie.
O. Ç. dyshohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 150 dhe 263 të Kodit Penal. Sipas njoftimit të gjykatës, arrestimi në flagrancë ishte kryer më 29 tetor, në orën 22:30.
Sipas vendimit, ai duhet të paraqitet pranë policisë gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës të hënën e parë të çdo muaji, në orën 11:00. Gjithashtu, nuk mund të largohet nga territori i njësisë administrative në Dibër ku ka vendbanimin, pa autorizimin e gjykatës, dhe nuk mund të shkojë në zonat ku zhvillohen tubime ose protesta.
Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij, nëse nuk mbahet për ndonjë çështje tjetër penale. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda pesë ditëve nga njoftimi.