Një gjykatë në Stamboll ka dhënë dënime me burg për pesë ish-kryetarë bashkish që i përkasin Partisë Republikane Popullore (CHP), pasi i shpalli fajtorë për vepra që lidhen me korrupsionin. Dënimet variojnë nga tetë muaj deri në mbi 23 vjet heqje lirie. Të pandehurit ishin arrestuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2025 në kuadër të një hetimi të gjerë ndaj zyrtarëve të opozitës.
Riza Akpolat, ish-kryetari i bashkisë së Besiktas, u dënua me 23 vjet e tre muaj burg për korrupsion, pastrim parash dhe parregullsi në prokurimin publik, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale. Në mbrojtjen e tij, Akpolat i mohoi akuzat, duke i cilësuar ato si të bazuara në dëshmi shpifëse. Kryetari i bashkisë së Adiyaman u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga të gjitha akuzat. Një tjetër kryebashkiak i periferisë së Stambollit u dënua me 8 muaj burgim me kusht për shpërdorim të pushtetit nga pakujdesia.
Biznesmeni Aziz Ihsan Aktaş, i cili kishte dëshmuar kundër politikanëve në këmbim të dënimeve më të lehta sipas ligjit të pendesës, u lirua nga akuzat në këtë proces, ndonëse fillimisht rrezikonte deri në 280 vjet burg. Kritikët e qeverisë së presidentit Rexhep Tajip Erdogan i kanë cilësuar këto gjyqe si të motivuara politikisht dhe me shënjestër të qartë opozitën.
Këto zhvillime gjyqësore pasojnë fitoren e thellë të CHP-së në zgjedhjet lokale të vitit 2024. Tensionet politike në Turqi mbeten të larta, duke përfshirë edhe çështjen e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili është në burg që nga marsi i vitit të kaluar nën akuza për korrupsion, të cilat ai i mohon. Arrestimi i tij kishte nxitur protesta masive në vend.