Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi këtë të martë seancën gjyqësore ndaj Laert Haxhiut. I pandehuri nuk ishte i pranishëm në sallë, pasi përmes një deklarate me shkrim njoftoi se nuk dëshiron të marrë pjesë në proces, duke zgjedhur të përfaqësohet nga avokatët e tij, Detar Hysi dhe Dritan Jahaj.
Seanca u fokusua në marrjen në pyetje të dëshmitarëve, mes të cilëve ishte Xhuliano Xhaferraj. Ai u soll në gjykatë nën masa sigurie nga policia e burgjeve, pasi ndodhet në paraburgim për një çështje tjetër penale lidhur me akuzën e vjedhjes. Xhuliano Xhaferraj dëshmoi për rrethanat e vrasjes së vëllait të tij, Fridman Xhaferraj, trupi i të cilit u gjet në një rezervuar në Drenovë të Korçës më 13 qershor 2021.
Sipas dëshmisë së tij, në kohën kur ndodhi krimi, ai vuante një dënim me burg dhe për vdekjen e vëllait u njoftua vetëm pas lirimit të tij, kur u shoqërua në komisariat për identifikim. Dëshmitari pohoi se i vëllai kishte planifikuar të largohej jashtë vendit, fillimisht drejt Italisë, e më pas drejt Greqisë, i shoqëruar nga shtetasit Lulzim Spahiu dhe Kristi Bixheku.
Në lidhje me autorësinë e krimit, Xhuliano Xhaferraj deklaroi se nuk ka dijeni të drejtpërdrejtë mbi ekzekutorët. Ai tregoi se pas ngjarjes kishte kontaktuar me babain e Laert Haxhiut, Qamil Haxhiun, për shkak të përfoljeve në qytetin e Lushnjës se urdhrin për vrasjen e kishte dhënë Laert Haxhiu. Sipas dëshmitarit, Qamil Haxhiu i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke i thënë se djali i tij nuk kishte lidhje me ngjarjen. Xhaferraj shtoi se personalisht nuk beson që Laert Haxhiu të jetë përgjegjës për vrasjen e të vëllait.
Gjatë seancës dëshmoi gjithashtu Sami Bashaliu, i cili rrëfeu vrasjen e Albi Bashaliut në Gjoçaj të Peqinit në fund të vitit 2021. Ai përshkroi dinamikën e ngjarjes, ku një person i maskuar qëlloi me armë zjarri viktimën përpara lokalit të tij dhe më pas i vuri flakën mjetit me të cilin ishte larguar.
Procesi ndaj Laert Haxhiut vijon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga gjykata në kuadër të dosjes hetimore të hapur nga SPAK.
Përditësime
Në seancën e sotme për gjyqin ndaj Laert Haxhiut, gjykata dëgjoi dëshmitë e 12 personave. Dëshmitari Xhuliano Xhaferraj, i cili aktualisht vuan dënimin për vjedhje në burgun e Fierit, deklaroi se komunikimi i tij me Qamil Haxhiun ndodhi një muaj pas ngjarjes, për shkak të afërsisë së pronave të tyre. Po ashtu, Xhaferraj konfirmoi se vëllai i tij, Aleksandri, ndodhej në Greqi gjatë kohës së vrasjes.
Në seancën gjyqësore ndaj Laert Haxhiut, dëshmitari Xhuliano Xhaferraj deklaroi se vëllai i tij, viktima Fridman Xhaferraj, përdorte rregullisht hashash dhe kokainë. Dëshmitari pohoi se nuk ishte në dijeni të jetës private apo shoqërisë së të ndjerit, ndërsa sqaroi se pas ngjarjes kishte qëndruar një muaj në burg pa pasur kontakte me familjarët. Gjykata bëri gjithashtu me dije detaje lidhur me itinerarin e viktimës, i cili kishte planifikuar të kalonte nëpërmjet Elbasanit dhe Korçës.