Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, përfaqësoi qëndrimet e Kosovës në edicionin e sivjetshëm të Forumit të Dubrovnikut. Ky aktivitet mblodhi diplomatë, përfaqësues shtetesh dhe ekspertë për të shqyrtuar zhvillimet globale dhe perspektivën evropiane të rajonit.
Në margjinat e forumit, Konjufca zhvilloi një takim me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman. Palët diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia ofron për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, duke përfshirë NATO-n dhe Këshillin e Evropës.
Ndër aktivitetet kryesore ishte përfshirja në panelin me temë "The EU and the Western Balkans: Resolving Unfinished Business Together". Gjatë këtij sesioni, u trajtuan sfidat e Ballkanit Perëndimor dhe nevoja për forcimin e stabilitetit dhe paqes. Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për avancimin e agjendës së saj evropiane.