Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, komentoi nismën ligjore të Partisë Socialiste që synon ndalimin e pezullimit të ministrave nga detyrë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Deklarata u bë gjatë një konference për media më 18 shkurt 2026, në prani të kryetarit të Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister.
Gonzato u përgjigj pyetjes së gazetjares Fjorela Beleshi nga A2CNN. Ai nënvizoi rëndësinë e mosprekjes së Reformës në Drejtësi, të miratuar në vitin 2016. "Ne i ndjekim nga afër të gjitha nismat e qeverisë që lidhen me shtetin ligjor, që të mos prekin reformën e drejtësisë të vitit 2016-të, nisma të tilla. Sa i përket ndikimit që kanë në këtë rast nuk do kisha një koment", deklaroi ambasadori.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian pret të konsultohet për këto nisma ligjore, jo vetëm për harmonizimin me acquis-in e BE-së, por edhe për mbrojtjen e reformës ekzistuese. "Presim që të konsultohemi për këto nisma", tha Gonzato.
David McAllister nuk komentoi drejtpërdrejt çështjen, por u shpreh se është në një linjë me ambasadorin Gonzato.