Një grabitje e rëndë ka ndodhur në Qendrën e Artit Bashkëkohor në Issoire, Francë, ku është vjedhur vepra monumentale L’Apocalypse. Vjedhja, e cila ka vënë në lëvizje autoritetet, është nën hetim nga brigada e detektivëve të xhandarmërisë Clermont-Ferrand, të cilëve u është besuar zbardhja e plotë e rastit. Vepra artistike është vjedhur nga persona ende të paidentifikuar në harkun kohor midis mbrëmjes së së dielës dhe ditës së hënë.
Kjo vepër monumentale, e vlerësuar për miliona euro, peshon gjithsej 210 kilogramë, nga të cilat 150 kilogramë i përkasin kopertinës prej bronzi të realizuar nga Salvador Dalí dhe të zbukuruar me ar e gurë të çmuar. Projekti u konceptua në vitin 1959 nga botuesi Joseph Forêt, i frymëzuar nga teksti i Shën Gjonit, dhe në realizimin e tij bashkëpunuan shtatë artistë, mes të cilëve Salvador Dalí, Georges Mathieu, Bernard Buffet dhe Leonor Fini, si dhe shtatë shkrimtarë e mendimtarë si Jean Cocteau, Emil Cioran dhe Ernst Jünger.
Historiku i veprës tregon një rrugëtim të gjatë përpara se të arrinte në Issoire. Ajo ishte ruajtur në Zvicër përpara se t'u shitej koleksionistëve japonezë, ndërsa në vitin 2003 u ble nga Christian Karoutzos. Koleksionisti është shprehur se ka punuar shtatë ditë në javë për dhjetë vjet me radhë për të siguruar mjetet financiare të nevojshme për blerjen e saj. Pas një periudhe 24-vjeçare, ajo u ekspozua në qendrën e tij këtë verë. Për krijimin e librit, që përmban rreth 95.000 shkronja të shkruara kaligrafikisht, punuan 25 punishte artizanale.
Kryetari i bashkisë së Issoire, Bertrand Barraud, shprehu shqetësimin për humbjen e kësaj trashëgimie, ndërsa Christian Karoutzos e konsideron dëmin të pallogaritshëm dhe një goditje të rëndë për trashëgiminë franceze. Në të kaluarën, vepra ishte vlerësuar me 2 milionë franga, shumë që në atë kohë e bënte atë librin më të shtrenjtë në botë, ndërsa sot vlera e saj llogaritet në disa milionë euro.
Përditësime
Brigada e detektivëve të xhandarmërisë Clermont-Ferrand ka marrë përsipër hetimin për grabitjen e veprës së Salvador Dalí.