Një grabitje e mirorganizuar, e ngjashme me skenat e filmave, është regjistruar në orët e para të së martës në një degë të bankës Nationwide Building Society në Ramsey, Cambridgeshire. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, autorët kanë përdorur një vinç për të goditur në mënyrë të përsëritur fasadën e ndërtesës, derisa kanë arritur të shkëpusin bankomatin nga pozicioni i tij.
Pas shkëputjes së pajisjes, një grup personash të maskuar e kanë ngarkuar atë në pjesën e pasme të një kamioni dhe janë larguar me shpejtësi. Autoritetet policore të Cambridgeshire bënë me dije se në këtë operacion janë përfshirë të paktën tre automjete. Gjithashtu, policia ka sqaruar se vinçi i përdorur nga grabitësit dyshohet të jetë vjedhur paraprakisht. Në lidhje me furgonin e një furre buke që u shfaq në pamjet e kamerave pranë vendngjarjes, policia theksoi se ai nuk ka asnjë lidhje me autorët e krimit.
Ndërkohë, institucioni bankar Nationwide Building Society ka bërë të ditur se po punon për rikthimin në funksion të degës dhe për zëvendësimin e bankomatit të vjedhur sa më parë. Policia ka nisur zyrtarisht hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët dyshohet se kanë arritur të marrin sasi të konsiderueshme parash, që përllogariten në dhjetëra mijëra paund.