Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, katër persona të paidentifikuar kanë grabitur tri pako nga magazinat e një kompanie postare në zonën e Yrshekut. Ngjarja është shënuar rreth orës 01:10, pas së cilës autorët janë larguar me shpejtësi.
Në vendngjarje, shërbimet e policisë kanë sekuestruar si provë materiale një pistoletë lodër, e cila dyshohet se u ka rënë autorëve gjatë largimit. Ndërkohë, në lagjen “Sorraj” të Kasharit është gjetur një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Stafi i kompanisë postare po zhvillon inventarin e plotë për të përcaktuar llojin e dërgesave të marra, emrat e porositësve dhe origjinën e tyre. Autoritetet hetimore kanë konfirmuar se po ndjekin disa pista, ku ndër kryesoret është dyshimi se në njërën prej pakove të grabitura mund të kenë qenë të vendosura sende të jashtëligjshme. Policia vijon veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve.