Greqia po përballet me një valë të fortë të të nxehtit që pritet të mbizotërojë gjatë kësaj fundjave dhe në ditët në vijim. Sipas të dhënave nga Observatori Kombëtar i Athinës, temperaturat maksimale në pjesën më të madhe të territorit do të luhaten nga 38 deri në 40 gradë Celsius, ndërsa në zona të caktuara, zhiva në termometër mund të arrijë vlerat 41 deri në 42 gradë Celsius.
Meteorologët bëjnë të ditur se masat ajrore që kanë përfshirë vendin janë 6 deri në 8 gradë Celsius më të ngrohta se vlerat normale për këtë periudhë të vitit. Për të vlerësuar këto ndryshime të temperaturës në shtresat e poshtme të atmosferës, shërbimet meteorologjike kanë përdorur të dhënat në lartësinë prej 1 500 metrash.
Kushtet e kësaj vale të nxehtësisë pritet të zgjasin deri në mesin e javës së ardhshme. Autoritetet kanë apeluar te qytetarët dhe turistët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve të nxehta të ditës, veçanërisht në zonat e ekspozuara drejtpërdrejt ndaj diellit. Megjithëse temperaturat janë të larta, Greqia është kursyer këtë verë nga valët e zgjatura të të nxehtit që kanë goditur pjesë të tjera të Evropës, me përjashtim të një periudhe tre-ditore që ndodhi në mesin e korrikut.