Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), pas protestës së mbajtur në sheshin e Prishtinës. Gruda ka cilësuar ndërhyrjen e forcave policore si "dhunë brutale" ndaj qytetarëve, të cilët sipas tij kishin dalë për të kërkuar mbështetje institucionale për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, deputeti akuzoi pushtetin për shmangie nga përgjegjësia për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së gjatë proceseve gjyqësore. Sipas tij, reagimi policor ndaj protestuesve shfaq "fytyrën e vërtetë" të qeverisjes aktuale.
"Shteti ikën nga përgjegjësia për ta mbështetur dhe mbrojtur UÇK-në në gjyq, ndërsa policia ushtron dhunë ndaj qytetarëve që protestojnë për miratimin e ligjit", deklaroi Gruda.
Megjithatë, Gruda u shpreh i bindur se ndryshimet në Ligjin për Specialen janë të pashmangshme dhe do të gjejnë mbështetje në Kuvendin e Kosovës. Ai deklaroi se miratimi i këtij ligji pritet të ndodhë ditën e martë, duke shtuar se institucionet nuk kanë rrugë tjetër përveç përmbushjes së kësaj kërkese.