Dhomat e Specializuara në Hagë kanë filluar procedurën për përcaktimin e kompensimit të viktimave në gjykimin kundër katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo nismë ka nxitur debate ligjore rreth kohës së përshtatshme për zhvillimin e një procesi të tillë, përkatësisht nëse ai duhet të zhvillohet përpara apo pas vendimit përfundimtar të Gjykatës së Apelit.
Avokati Naim Bajraktari e ka vlerësuar këtë veprim si të parakohshëm. Sipas tij, procesi i kompensimit duhet të nisë vetëm pas plotfuqishmërisë së vendimit penal, pasi çdo ndryshim i mundshëm në shkallën e dytë do të ndikonte drejtpërdrejt në bazën e kërkesës pasurore-juridike. Ai theksoi se vendimi në këtë stad mund të perceptohet si paragjykim i procesit dhe shprehu skepticizëm se një epilog nga Gjykata e Apelit mund të arrihet në një afat të shkurtër.
Nga ana tjetër, ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, ofron një interpretim të ndryshëm. Ai sqaron se kërkesa pasurore-juridike mund dhe duhet të zhvillohet paralelisht me çështjen penale. Sipas Hasanit, ky është një mekanizëm ligjor që u mundëson viktimave të realizojnë të drejtën e tyre brenda procesit penal, duke shmangur shpenzimet e një padie civile të veçantë. Ai sqaroi se vendosja për dëmin bëhet bashkë me aktgjykimin kryesor, pasi palët kanë të drejtë të ankimojnë në Apel edhe këtë pjesë të vendimit.