Banorët e fshatit Bashaj në qarkun e Vlorës nuk janë më të izoluar. Rruga që lidh Matogjin me Bashaj u hap pas punimeve intensive nga forcat xheniere, të cilat mundësuan hapjen e një aksi alternativ për të zgjidhur bllokimin e shkaktuar nga rrëshqitja e dherave për shkak të motit të keq.
Masivi i dherës bllokoi rrugën kryesore, duke izoluar plotësisht fshatin Bashaj dhe duke penguar lëvizjen e banorëve. Për më shumë se dy javë, forcat xheniere të ushtrisë punuan për rikthimin e qarkullimit.
Aktualisht, rruga është e kalueshme, por gjatë kësaj jave pritet të mbërrijë dhe të montohet një urë metalike pranë një përroi. Kjo do ta bëjë aksin plotësisht të sigurt dhe të qëndrueshëm për banorët.
Autoritetet mbajnë situatën nën monitorim dhe planifikojnë përmirësime të mëtejshme për sigurinë e rrugëve në zonë. Aksi është jetik për komunitetin lokal, i cili përjetoi vështirësi në lëvizje dhe furnizim gjatë periudhës së izolimit.