Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Kosovës, nuk pranoi të japë koment kur u pyet për pritshmëritë lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe shpërndarjen e Kuvendit. Kjo ndodhi në 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, pas homazheve në Memorialin Heroinat në Prishtinë.
Haxhiu, bashkë me deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje, nderuan mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo theksoi se qëndrueshmëria dhe dinjiteti i tyre është forcë, si dhe kujtoi kontributin e të gjitha grave për Kosovën.
E pyetur nga gazetarët, Haxhiu deklaroi: "Unë mendoj që sot më 8 mars duhet të flasim për të drejtat e grave, problemet e tyre, sfidat me ato që ballafaqohen. Për temat e tjera të politikave ditore do të kem paraqitje tjetër, ju premtoj për këtë, se natyrisht që rrethanat na obligojnë që t’i japim qëndrimet për situatën aktuale."
Kujtohet se presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin pas moszgjedhjes së presidentit më 5 mars dhe ka zhvilluar konsultime me partitë për datën e zgjedhjeve të parakohshme.