Çlirim Haziri, drejtues i iniciativës “JO NË EMRIN TIM”, i kërkoi presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, të shqyrtojë me kujdes Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Nëse konstaton dispozita në kundërshtim me Kushtetutën ose mangësi ligjore, ai kërkoi që presidentja ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim.
Në konferencën për media, Haziri kërkoi veprime konkrete dhe koordinim institucional lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai rikujtoi se iniciativa qëndroi 21 ditë e 21 net në sheshet e Prishtinës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale pas vendimit të 16 shtatorit, të cilin e konsideron të padrejtë.
Haziri tha se UÇK-ja ka nevojë për një ligj kushtetues, të zbatueshëm dhe në përputhje me standardet evropiane. Sipas tij, monitorimi i proceseve gjyqësore duhet të shndërrohet në mekanizëm real, të pavarur dhe profesional, në bashkëpunim me institute, universitete dhe ekspertë të drejtësisë. Mekanizmi do të vlerësonte procedurat, provat dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve, si dhe do të përgatiste analiza juridike, raporte profesionale dhe vlerësime të pavarura për t’ua përcjellë institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare.
Haziri përsëriti bindjen në pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe tha se askush nuk duhet të konsiderohet përfundimisht fajtor pa vendim të formës së prerë, të mbështetur në prova dhe në një proces të drejtë. Ai tha se iniciativa vlerëson se Gjykata Speciale ka kryer shkelje serioze gjatë procesit dhe se provat nuk janë vlerësuar drejt, paanshëm e plotësisht. Për këtë arsye, kërkoi që ekspertë të pavarur t’i shqyrtojnë pretendimet sipas standardeve ndërkombëtare. Ai shtoi se viktimat kanë të drejtë ta dinë të vërtetën, të mbështetur në fakte dhe prova.
Haziri përshëndeti krijimin e komisionit qeveritar për hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ai kërkoi që puna të nisë menjëherë dhe të përfshijë ekspertizë profesionale, koordinim institucional, objektiva të qarta dhe afate konkrete. Sipas tij, iniciativa do të ndjekë vendimet dhe veprimet institucionale dhe do të kërkojë përgjigje për zotimet. Haziri tha se grupi ruan të drejtën të rikthehet në shesh e të protestojë nëse institucionet nuk veprojnë.