Autoritetet greke kanë intensifikuar kërkimet për Alket Rizain, të dënuarin shqiptar i cili rezulton i arratisur pas përfundimit të lejes së marrë nga burgu i Domokos. Fokusimi i hetimit është përqendruar te një incident i ndodhur në mes të muajit shtator në një lokal në zonën e Anavisos.
Sipas të dhënave, konflikti nisi kur Rizai vendosi muzikë me volum të lartë në automjetin e tij, çka solli reagimin e pronarit të lokalit. Debati u përshkallëzua dhe në atë moment Rizai dyshohet se nxori një armë zjarri, ndërsa po hetohet nëse ai ka qëlluar në ajër. Në lidhje me këtë përplasje, policia greke ka arrestuar një 27-vjeçar me origjinë afgane, i cili punonte si roje sigurie dhe akuzohet për tentativë vrasjeje, pasi të shtënat shkaktuan plagosjen e lehtë të dy kalimtarëve.
Një element i ri në hetim është dëshmia e një drejtuesi mjeti, i cili ka deklaruar se pas ngjarjes ka parë një automjet që përdorte sinjalizues të ngjashëm me ato të Policisë Helenike në makinat civile, ndërsa një person nga mjeti i ka folur atij përmes një megafoni. Gazeta greke Protothema raporton se autoritetet po verifikojnë nëse kjo skemë është përdorur nga Rizai për t'iu shmangur kontrolleve dhe për t'u larguar nga zona. Autoritetet greke po shqyrtojnë skenarin e arratisjes së tij jashtë territorit të Greqisë, me destinacione të mundshme Shqipërinë ose Kosovën.