Hetimet për mesazhet elektronike kërcënuese që shkaktuan alarme për bomba në disa institucione të rëndësishme në vend kanë përparuar në identifikimin e origjinës së tyre. Sipas të dhënave, e njëjta përmbajtje kërcënuese është dërguar përmes dy adresave të ndryshme elektronike, me gjurmë që çojnë në Argjentinë dhe Brazil.
Në mesazhet e dërguara, autorët përdornin gjuhë kërcënuese, duke pretenduar se kishin vendosur lëndë shpërthyese në ndërtesa. Megjithatë, pas kontrolleve të imtësishme nga forcat e policisë, rezultoi se të gjitha alarmet ishin të rreme, pasi nuk u konstatua asnjë mjet shpërthyes.
Për shkak se gjurmët digjitale të komunikimeve janë jashtë territorit shqiptar, identifikimi i autorëve mbetet sfidues për organet ligjzbatuese. Hetuesit janë duke analizuar nëse dërgimi i mesazheve nga dy shtete të ndryshme është një veprim i koordinuar apo nëse prapa tyre qëndrojnë persona të ndryshëm.
Për të avancuar me procedurat e identifikimit dhe lokalizimit të përgjegjësve, autoritetet shqiptare pritet t'u drejtohen me letërporosi homologëve në Argjentinë dhe Brazil, duke kërkuar bashkëpunim zyrtar për shkëmbimin e të dhënave dhe hetimin e plotë të rastit.