Gjatë ditëve të fundit janë raportuar raste të dërgimit të e-maileve mashtruese, të cilat në mënyrë të rreme paraqiten si komunikim zyrtar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Në këto mesazhe kërkohet përgjigje urgjente ndaj një të ashtuquajturi "Urdhër i Gjykatës", ndërsa dokumentet e bashkëlidhura janë të falsifikuara.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se këto komunikime nuk janë zyrtare dhe ka nisur hetimet për identifikimin e burimit të dërgimit. Institucioni ka kërkuar nga qytetarët që të tregohen vigjilentë dhe të shmangin çdo ndërveprim me këto mesazhe.
Sipas autoriteteve, qytetarët duhet të ndjekin këto hapa:
• Të mos klikojnë në lidhje (linqe) të dyshimta të përfshira në mesazh;
• Të mos ndajnë kurrë të dhëna personale apo financiare;
• Të mos vizitojnë faqe që kërkojnë pagesa përmes mesazheve telefonike (SMS).
Nëse pranohen mesazhe të tilla, rekomandohet që ato të fshihen menjëherë. Në rast se janë ndarë të dhëna bankare, qytetarët duhet të kontaktojnë institucionet e tyre financiare. Raste të tilla duhet të denoncohen përmes platformës digjitale "Lajmëro Policinë" ose në numrin emergjent 192.
Përditësime
Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për një fushatë mashtrimi kibernetik që po zhvillohet në emër të Drejtorit të Përgjithshëm, Gazmend Hoxha. Mashtruesit po dërgojnë mesazhe me përmbajtjen: 'Me këtë rast, na duhet përgjigjja juaj urgjente ndaj Urdhrit të Gjykatës së pretenduar të bashkangjitur kundër jush'. Autoritetet kërkojnë nga qytetarët të mos e hapin dokumentin e bashkëngjitur, pasi ai përmban materiale keqdashëse që rrezikojnë sigurinë e pajisjeve tuaja.