Policia e Kosovës ka lëshuar një paralajmërim zyrtar lidhur me përhapjen e mesazheve dhe dokumenteve të falsifikuara. Këto materiale përdorin në mënyrë të paautorizuar emrat, logot, vulat dhe nënshkrimet e institucioneve të shtetit për të mashtruar publikun. Sipas njoftimit, dokumentet e qarkulluara nuk janë njoftime zyrtare dhe qytetarët nuk duhet t’u përgjigjen kërkesave të tilla.
Ndër dokumentet e identifikuara, portali Kallxo raporton se njëri prej tyre mban emrin "Zyra Qendrore për Luftën Kundër Krimit të Lidhur me Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit" dhe pretendon se i drejtohet marrësit për posedim të materialeve pornografike të fëmijëve. Policia ka konfirmuar se është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të identifikuar personat përgjegjës për këto aktivitete.
Në kuadër të parandalimit të mashtrimeve, Policia ka publikuar një sërë udhëzimesh për qytetarët:
- Të mos klikojnë në linqe të dyshimta.
- Të mos ndajnë të dhëna personale apo bankare me adresat e panjohura.
- Të mos hapin faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.
- Të fshijnë mesazhet e dyshimta menjëherë.
- Nëse janë ndarë të dhëna bankare, të kontaktohet menjëherë institucioni financiar.
- Rastet mund të raportohen përmes aplikacionit "Lajmëro Policinë" ose duke telefonuar në numrin 192.
Policia theksoi se për çdo informacion zyrtar, qytetarët duhet t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të komunikimit të institucioneve të Kosovës.