Hetimet për vrasjen e shtetases britanike Elizabeth Jane Ross, trupi i së cilës u gjet i futur në një valixhe në një ndërtesë të braktisur në lagjen Kypseli të Athinës, po marrin një zhvillim të ri pas dëshmisë së të dyshuarit kryesor. I riu afgan, i cili është arrestuar nga autoritetet greke, mohon kategorikisht përfshirjen në krim dhe këmbëngul se e ka gjetur viktimën të pajetë në banesën e saj mbrëmjen e 15 korrikut.
Sipas dëshmisë së tij, kur hyri në banesë, e gjeti gruan të shtrirë në dyshemenë e banjës dhe, në gjendje paniku, nuk njoftoi shërbimet e emergjencës. Ai ka ndërtuar një linjë mbrojtjeje që përfshin një person të tretë, të cilin e quan Nikos. I dyshuari pretendon se e takoi këtë të moshuar në një stacion autobusi dhe se ai e këshilloi për asgjësimin e trupit, duke i ofruar ndihmë kundrejt pagesës.
I arrestuari pranoi veprime të tjera, të cilat i lidh me presionin që thotë se ushtroi ndaj tij personi i moshuar:
- Përdorimi i telefonit celular të viktimës për t’i dërguar mesazhe familjarëve të saj, me qëllim që ata të besonin se ajo ishte ende mirë.
- Tërheqja e parave nga kartat bankare të viktimës, të cilat pretendon se ia dorëzoi Nikos-it për shkak të shantazhit.
- Transportimi i trupit në ndërtesën e braktisur me makinën e bashkëshortes së tij, pa dijeninë e kësaj të fundit.
Pas këtyre veprimeve, i riu deklaroi se udhëtoi me familjen e tij drejt Arahovës. Ai pranoi gjithashtu se i hodhi telefonin dhe kartat bankare të viktimës në një kosh mbeturinash. Autoritetet policore dhe gjyqësore në Greqi i konsiderojnë pretendimet e të dyshuarit si të pabesueshme dhe si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë penale, pasi nuk ka prova që konfirmojnë ekzistencën e personit të moshuar të përmendur. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë, ndërsa pritet dëshmia përfundimtare para gjyqtarit hetues.