Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump ka dëshmuar se është transaksionale në qasjen e saj ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas Hovenier, kjo administratë është e gatshme të lidhë marrëveshje me palët që shfaqin interes, por mungesa e gatishmërisë për bashkëpunim mund të ndikojë negativisht në nivelin e angazhimit amerikan.
“Administrata e Trump është dëshmuar si transaksionale. Nëse jeni të gatshëm të bëni marrëveshje, bëni; nëse jo, nuk jeni të interesuar. Nëse Kosova nuk i përgjigjet ofertës së administratës për LNG, atëherë ajo do të humbë edhe më shumë interes për Kosovën”, ka deklaruar Hovenier.
Ish-diplomati theksoi se çdo veprim lidhur me dialogun dhe partneritetin energjetik e forcon Kosovën si partner, ndërsa çdo qëndrim në kundërshtim me këtë e orienton potencialin amerikan drejt vendeve të tjera.