Enver Hoxhaj, deputet i PDK-së, shprehu më 14 tetor shqetësimin se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara mund të përdoret për izolimin dhe goditjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai i bëri këto komente në emisionin “Click” të RTV21.
“Unë kam frikë se aktgjykimi do të përdoret si një armë për ta izoluar Kosovën, për ta goditur Kosovën”, tha Hoxhaj. Ai shtoi se gjatë ditëve të fundit ishte takuar me diplomatë dhe se, sipas tij, një pjesë e madhe e tyre, me vetëdije ose pa vetëdije, po e instrumentalizojnë aktgjykimin për ta penalizuar Kosovën.
Hoxhaj tha se nevojitet “një qasje e menduar mirë” për mënyrën se si duhet të sillet Kosova si vend. Në deklaratën e tij, ai nuk përmendi emrat e diplomatëve me të cilët është takuar dhe as hapa konkretë që, sipas tij, duhet të ndërmarrë Kosova.