Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të enjteje në ujërat e detit, në zonën midis Rjollit dhe Ranës së Hedhun, ku një 24-vjeçar humbi jetën si pasojë e një aksidenti me mjet lundrues. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, viktima, i identifikuar si Klaus Gjergji nga zona e Bërdicës, ishte duke udhëtuar në një gomone së bashku me dy persona të tjerë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:15, kur i riu ra në det dhe u godit nga helika e motorit të gomones, duke pësuar dëmtime të rënda. Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, pas njoftimit, mbërritën menjëherë në vendngjarje për t'i dhënë ndihmën e parë 24-vjeçarit. I riu u transportua fillimisht drejt bregut dhe më pas me autoambulancë për në spital, por plagët e marra rezultuan fatale për jetën e tij.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti. Në njoftimin e saj, Policia sqaroi se incidenti ndodhi në thellësi, në një zonë lundrimi, duke hedhur poshtë raportimet fillestare që e përshkruanin ngjarjen si një përplasje mes dy mjeteve lundruese. Ky aksident shënon një ndër incidentet e rënda të raportuara së fundmi me mjete lundruese në vend.