Një ngjarje e rëndë detare u regjistrua pasditen e 20 gushtit 2026 në bregdetin e Shëngjinit, në zonën midis Rrjollit dhe Ranës së Hedhun. Sipas informacioneve të bëra publike nga autoritetet dhe mediat, një aksident me mjete lundruese ka shkaktuar pasoja fatale për njërin prej të rinjve që ndodheshin në bord.
Viktima është identifikuar si Klaus Gjergji, 25 vjeç, ndërsa personi i plagosur është Uran Marku, i cili është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në spitalin e Lezhës. Të dy të rinjtë ishin nga zona e Bërdicës. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, autoritetet detare dhe shërbimet e emergjencës, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e sakta të këtij aksidenti.
Ky incident shënon rastin e dytë të rëndë ujor brenda 24 orëve në vend, pas përplasjes së dy varkave turistike në Liqenin e Komanit një ditë më parë, ku mbetën të plagosur pesë persona. Autoritetet vijojnë operacionet në terren për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes në Shëngjin.
Përditësime
Policia e Shtetit sqaroi dinamikën e ngjarjes, duke hedhur poshtë dyshimet fillestare për përplasje mes dy mjeteve lundruese. Hetimet konfirmuan se viktima 24-vjeç, nga 25 sa ishte raportuar më parë, ka rënë aksidentalisht nga gomonia rreth orës 16:15. Ai u godit për vdekje nga helika e motorit të mjetit, në të cilin ndodheshin gjithsej 3 persona.