Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Kamëz, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e goditjes elektrike. Shtetasi me iniciale R. T., i identifikuar nga disa burime si Roland Toshi, po kryente punime mbi çatinë e banesës së xhaxhait të tij, në rrugën “Adriatik”, lagjja nr. 5.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, gjatë kohës që i riu po rregullonte depozitën e ujit, ka rënë aksidentalisht në kontakt me telat e një linje elektrike të tensionit të lartë, të cilat ndodheshin mbi godinë.
I riu u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve të rënda, duke ndërruar jetë rreth një orë pas mbërritjes në spital. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së këtij incidenti.