Pas nje periudhe te gjate kundershtimesh, Hungaria ka sinjalizuar gatishmerine per te lejuar fillimin e negociatave te anetaresimit te Ukraines dhe Moldavise ne Bashkimin Evropian. Sipas diplomatëve evropianë, vendimi mund te formalizohet gjate konferences nderqeveritare qe pritet te mbahet me 15 qershor ne Luksemburg.
Ecuria e këtyre negociatave është e ndërlidhur, pasi të dyja vendet kanë aplikuar njëkohësisht për anëtarësim dhe përparimi i Moldavisë varet nga ecuria e Ukrainës. Procedura kërkon miratimin unanim të të 27 shteteve anëtare, çka i jep çdo vendi mundësinë për të ushtruar të drejtën e vetos. Deri në fund të kësaj jave, ambasadorët e vendeve anëtare pritet të finalizojnë qëndrimin për hapjen e grupit të parë të kapitujve negociues.
Ndryshimi i qëndrimit të Budapestit pason një takim të ekspertëve midis Ukrainës dhe Hungarisë, ku palët kanë shënuar përparim në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me të drejtat e pakicës hungareze në territorin ukrainas. Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se shumica e kërkesave janë adresuar dhe se heqja e vetos nuk kushtëzohet më nga miratimi i ligjeve të reja.
Pavarësisht kësaj, zyrtarë hungarezë theksojnë se vendimi përfundimtar mbetet ende në proces diskutimi. Përshpejtimi i bisedimeve raportohet se lidhet edhe me vizitën e kryeministrit hungarez Péter Magyar në Bruksel, ku u diskutua edhe çështja e fondeve evropiane prej 16.4 miliardë eurosh, të cilat aktualisht janë të ngrira për Hungarinë.