Rebelët Huthi të Jemenit lëshuan të shtunën raketat e para kundër Izraelit, pas nisjes së luftës në Iran një muaj më parë. Ky veprim i jep fund periudhës njëmujore të përmbajtjes dhe rrit shqetësimet për një krizë të dyfishtë në tregjet globale të energjisë.
Lufta në Iran përfshin tashmë forcat amerikane, shtetet e Gjirit Arab dhe Izraelin në fronte të ndryshme. Huthët, të cilët Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur terroristë, kërcënojnë me zgjatje të konfliktit. Irani ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Huthët kanë sinjalizuar mundësinë për mbylljen e Ngushticës së Bab el-Mandeb, rrugë detare përmes së cilës transportohet 10 për qind e naftës së botës.
Analistët vlerësojnë se sulmi ka pasur më shumë qëllim dërgimin e sinjaleve për Riadin sesa për Jerusalemin. Michael Horowitz, analist i pavarur për mbrojtje me seli në Izrael, shpjegon se zëdhënësi ushtarak i Huthëve ka përmendur kushte specifike për hyrjen e plotë në luftë, si përfshirja aktive e shteteve në konfliktin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj regjimit iranian.
"Ky është mesazh për vendet e Gjirit, sidomos për Arabinë Saudite, kundër përfshirjes në luftën ndaj Iranit dhe lejes për përdorimin e bazave amerikane", ka thënë Horowitz për Radion Evropa e Lirë. Ai shton se vonesa njëmujore e Huthëve reflekton kalkulimet e tyre strategjike, jo varësinë nga Irani.
Grupi mund të ketë hezituar për të ruajtur përpjekjet diplomatike që mund të sjellin përfitime, si dhe për shkak të sulmeve izraelite të vitit të kaluar në shënjestra civile dhe ekonomike në zonat e kontrolluara prej tyre, të cilat kanë përkeqësuar situatën.