Mbyllja efektive e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, si përgjigje ndaj fushatës bombarduese të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ka shkaktuar tronditje në tregjet botërore të energjisë dhe rritje të çmimeve të naftës.
Situata mund të përkeqësohet nëse ndërpritet kalimi përmes Ngushticës Bab al-Mandab, rrugë kyçe detare që lidh Detin e Kuq me Detin Arabik. Pjesa më e madhe e bregdetit të Jemenit kontrollohet nga rebelët Huthi, grup i mbështetur nga Irani, i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe aleat i fuqishëm i Teheranit.
Huthi kanë sulmuar më parë anije ndërkombëtare në Bab al-Mandab dhe Detin e Kuq, por nuk janë përfshirë ende në luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Nëse ata hyjnë në konflikt, tregjet e energjisë do të përballen me tronditje të mëdha, sipas ekspertëve.
"Rreziku nga rebelët Huthi është real", deklaroi Gregory Brew, historian i naftës iraniane dhe analist i lartë në Grupin e Euroazisë. Nëpër Bab al-Mandab kalon rreth 6% e tregtisë botërore të naftës së transportuar me det, sipas Administratës amerikane për Informacion të Energjisë.
Arabia Saudite, eksportuesja më e madhe e naftës në botë, ka ndryshuar rrugën e miliona fuçi nafte nga Gjiri Persik drejt Detit të Kuq përmes tubacionit Lindje-Perëndim, që kur lufta nisi më 28 shkurt. Anijet cisternë tani marrin naftë të papërpunuar nga porti saudit Yanbu, rruga alternative e eksportit, shtoi Brew.