Një person i paraburgosur, i identifikuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) me inicialet K.K., ka humbur jetën gjatë qëndrimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Sipas njoftimit zyrtar, i ndjeri, i cili ishte i vendosur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, kishte shfaqur probleme shëndetësore gjatë ditës së mërkurë.
Sipas ShKK-së dhe Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, i paraburgosuri kishte pasur çrregullime gastrointestinale dhe gjendje të theksuar molisjeje. Pas trajtimit fillestar nga personeli shëndetësor brenda institucionit korrektues, mjeku kujdestar kërkoi konsultim specialistik. I ndjeri fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, ndërsa rreth orës 18:00 është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm.
Pavarësisht përpjekjeve dhe procedurave diagnostikuese të stafit mjekësor në Klinikën e Emergjencës, gjendja e tij shëndetësore nuk është përmirësuar dhe ai ka ndërruar jetë rreth orës 23:20. Organet kompetente kanë nisur procedurat ligjore në lidhje me këtë rast. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për t'iu nënshtruar autopsisë, e cila do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka raportuar për këtë rast si një procedurë hetimore, duke specifikuar se rasti është regjistruar në fshatin Dyz, ku ndodhet Burgu i Sigurisë së Lartë.
Përditësime
Autoritetet kanë konfirmuar se i paraburgosuri që ndërroi jetë në QKUK është Korab Kabashi. Identiteti i tij u bë publik pas procedurave të verifikimit nga institucionet përkatëse.