Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria shqiptare nuk ka miratuar asnjë projekt përfundimtar për zhvillimin turistik të zonës së Zvërnecit. Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja theksoi se procesi ndodhet aktualisht në fazën e studimit dhe projektimit, ku po punojnë arkitektë, studiues dhe inxhinierë të ndikimit në mjedis.
Në lidhje me investimin e përfolur prej 4 miliardë eurosh, Ibrahimaj sqaroi se ai projekt është rrëzuar më herët nga KKTU, pasi nuk përmbushte kriteret ligjore dhe standardet për intensitetin e ndërtimit dhe mbrojtjen e mjedisit. Ministrja ritheksoi se qeveria mbetet e angazhuar për të nxitur investime të mëdha, por çdo propozim i ri do të vlerësohet në përputhje me legjislacionin shqiptar, i cili po përafrohet me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Sipas Ibrahimaj, shqetësimi kryesor i ekzekutivit është respektimi i standardeve mjedisore. Ajo garantoi se, sapo të paraqitet një projekt final, ai do t'i nënshtrohet vlerësimit të detajuar dhe do të bëhet transparent për publikun, duke iu përgjigjur kështu edhe shqetësimeve të ngritura gjatë protestave të fundit për këtë çështje.