Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, Igli Tare, është paraqitur këtë të enjte, më 4 qershor, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Sipas burimeve, atij i është komunikuar zyrtarisht akuza për veprën penale të pastrimit të parave nga prokurori Dritan Prençi, duke u marrë i pandehur në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për ish-zv.kryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Hetimi ndaj Igli Tares lidhet me verifikimet pasurore të kryera nga prokuroria në vijim të hetimeve për procedurat e tenderimeve të drejtuara nga Balluku. Ish-drejtori sportiv, i cili ka pasur angazhime profesionale në Itali, ishte thirrur më herët nga organi i akuzës, por paraqitja e tij ishte shtyrë për shkak të qëndrimit jashtë vendit.
Në të njëjtën dosje është hetuar edhe Agron Tare, vëllai i Igli Tares. Ai është paraqitur në SPAK më 19 maj, ku është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes. Agron Tare ka mbajtur më parë detyrat e drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës dhe të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme.
Ndërkohë, ndaj ish-ministres Belinda Balluku rëndojnë akuza për shkelje të barazisë në tendera, veçanërisht për projektin e Tunelit të Llogarasë, lotet e Unazës së Madhe dhe tenderë të tjerë. Deri në këto momente, as SPAK dhe as Igli Tare nuk kanë lëshuar deklarata publike zyrtare mbi zhvillimet e fundit të procedimit.