Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj vendimeve të marra nga Qeveria në detyrë gjatë mbledhjes elektronike të datës 12 gusht 2026. Sipas këtij institucioni, vazhdimi i ushtrimit të pushtetit nga anëtarë të qeverisë të cilët janë zgjedhur deputetë dhe nuk kanë dhënë dorëheqje nga postet ekzekutive, përbën shkelje të qartë të Kushtetutës së Kosovës.
Sipas IKD-së, Neni 72 i Kushtetutës përcakton papajtueshmëri të drejtpërdrejtë ndërmjet mandatit të deputetit dhe funksionit ekzekutiv. Gjithashtu, referuar Nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, anëtarët e qeverisë në detyrë që janë zgjedhur deputetë ishin të obliguar të jepnin dorëheqje para certifikimit të rezultateve zgjedhore. Instituti përkujtoi një standard gjyqësor të vendosur më 15 korrik 2025 nga Gjykata Supreme, e cila shfuqizoi një akt administrativ pikërisht për shkak të ushtrimit të dyfishtë të funksioneve.
Vendimet e kundërshtuara nga IKD përfshijnë:
• Qiradhënie të pronës publike me afat deri në vitin 2033.
• Procedura të ndryshme që lidhen me shpronësimin.
• Ndarje të mjeteve financiare dhe çështje të tjera që tejkalojnë administrimin e zakonshëm.
• Themeli i komisioneve të pranimit për pozita të larta drejtuese, veprim që sipas IKD-së bie ndesh me Nenin 31 të Ligjit për Qeverinë.
Instituti shprehu shqetësimin se këto veprime mund të ndikojnë në përzgjedhjen e drejtuesve në institucione kyçe si Thesari i Kosovës, Agjencia Qendrore e Prokurimit, Agjencia për Siguri Kibernetike, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar. IKD u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që të ndërpresin menjëherë këto vendimmarrje dhe t'i nënshtrojnë ato një shqyrtimi të plotë ligjor.