Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur me një kërkesë zyrtare për shuarjen e masës së sigurimit personal "arrest në burg". Çështja është planifikuar të shqyrtohet këtë mesditë, në orën 11:00, nga gjyqtarja e seancës paraprake, Elsa Ulliri. Në sallën e gjyqit është paraqitur mbrojtësi ligjor i ish-ministrit, avokati Ermal Yzeiraj.
Argumenti kryesor i mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi bazohet në pretendimin për tejkalim të afateve ligjore. Mbrojtja i është referuar një vendimi njësues, i cili përcakton se, në rastet kur gjykata e seancës paraprake e kthen çështjen për hetime të mëtejshme, periudha e seancës paraprake duhet të konsiderohet si pjesë përbërëse e afatit të hetimeve paraprake.
Kjo kërkesë vjen vetëm një ditë pasi gjykata mori vendim për ndryshimin e masës së sigurisë për një tjetër person të përfshirë në dosjen e SASPAK, Ermal Kurtulajn.