Ilir Krasniqi, mbrojtës i Kombëtares së Kosovës, është rikthyer në stërvitje me klubin e tij Polissya Zhytomir.
25-vjeçari publikoi të hënën një fotografi nga seanca stërvitore në rrjetet sociale, ku shihet i buzëqeshur dhe në gjendje të mirë fizike.
Krasniqi pësoi lëndim javën e kaluar gjatë miqësoreje ndërmjet Polissya Zhytomir dhe Livyi Bereh Kyiv.
Megjithatë, ekzaminimet mjekësore konfirmuan se nuk ka dëmtim të ligamentit ose meniskut në gjurin e këmbës së djathtë.
Ai ka gjasa të jetë i gatshëm për ndeshjen e së enjtes kundër Kudrivka-s.
Po ashtu, pritet të jetë në dispozicion për Kombëtaren e Kosovës në përballjen gjysmëfinale të plej-off-it për Kupën e Botës kundër Sllovakisë, e cila luhet më 26 mars në Bratislavë.
Krasniqi konsiderohet opsion për qendrën e mbrojtjes, sidomos në mungesë të kapitenit Amir Rrahmani, i cili pësoi lëndim muajin e kaluar.