Ilir Meta, ish-president dhe kryetar i Partisë së Lirisë, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Revistën Newsbomb nga qelia ku ndodhet prej 513 ditësh.
Në intervistë, Meta ka shpjeguar se qëndrimi në burg i ka dhënë mundësi për të reflektuar mbi përvojat politike dhe po punon në tre libra. Libri i parë pritet të publikohet në korrik me rastin e 10-vjetorit të Reformës në Drejtësi. Dy librat e tjerë përfshijnë kujtime personale, takime me figura të rëndësishme si Gjeneralin Uesli Klark në vitin 1998, si dhe momentet kyçe të historisë shqiptare, përfshirë krizën humanitare në Kukës dhe paralajmërimet nga NATO.
Sa i përket 'darkës së ngjalave', Meta e ka cilësuar si keqinterpretim. “Ajo që ju e quani 'darka e ngjalave', jo vetëm s’ka qenë marrëveshje, por vetëm një autokritikë e gjatë e autokratit të sotëm”, ka deklaruar ai, duke iu referuar Edi Ramës. Ai ka theksuar se asnjëherë nuk ka bërë marrëveshje të fshehta apo të dëmshme për vendin dhe se interesi kombëtar si dhe integrimi europian kanë qenë gjithmonë në qendër të veprimeve të tij.
Meta ka vlerësuar burgun si test, jo pengesë. “Burgun nuk e shoh si pengesë, por si një test për të ndërtuar shprehi të forta dhe për të arritur objektiva të mëdha”, ka thënë ai. Ai ka përmendur programin e tij me pesë prioritete kryesore për 4 milionë shqiptarë dhe ka cituar ish-kryeministrin Fatos Nano: “Çdo politikan duhet të bëjë burgun e tij”. Meta ka konfirmuar se asgjë nuk do ta ndalojë në përmbushjen e qëllimeve.