Policia e Kosovës ka konfirmuar një incident me armë zjarri të ndodhur rreth orës 18:00 në rrugën Gjilan–Kamenicë, në afërsi të një pike karburanti.
Sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Gjilanit, togeri Ismet Hashani, dyshohet se në incident kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje. Si pasojë, një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe po trajtohet nga autoritetet shëndetësore.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale të ndërlidhura me rastin. Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po zhvillon hetimet e nevojshme dhe është në kërkim të personave të dyshuar.
Hashani deklaroi se policia ka pranuar informacionin fillestar dhe po ndërmerr veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Përditësime
QKUK pranoi të plagosurin në Emergjencë me gjendje të rëndë. Mjekja kujdestare Dafina Basholli konfirmoi për Tevë1 se po kryhen ekzaminime mjekësore.
Policia arrestoi dy persona dhe identifikoi tre të dyshuar të tjerë meshkuj kosovarë në lidhje me incidentin në Gjilan-Kamenicë.
Autoritetet konfiskuan 7 gëzhoja 9mm, dy karikatorë me 18 fishekë 7.62mm, celularë dhe dy vetura.
I plagosuri, rreth 40 vjeç, u operua në QKUK. Gjendja e tij është e rëndë, por stabile; u transferua në MIQ, sipas Naser Syla.
Policia aktivizoi operacionin "Unazën e çeliktë" për kapjen e të dyshuarve.