Kostoja e jetesës në Maqedoninë e Veriut u rrit me 0,4% gjatë tetorit krahasuar me shtatorin, ndërsa në raport me tetorin e vitit të kaluar rritja arriti në 3,3%. Të dhënat janë publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Në krahasimin mujor, rritja më e madhe u regjistrua te pijet alkoolike dhe duhani, me 2,5%. Veshjet dhe këpucët, si dhe shpenzimet për rekreacion, sport dhe kulturë, u shtrenjtuan me 1,2%. Ushqimet dhe pijet joalkoolike kushtuan 0,7% më shumë.
Disa kategori shënuan ulje çmimesh gjatë muajit. Mobiljet dhe pajisjet shtëpiake u liruan me 1,3%, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 0,7%, ndërsa transporti me 0,3%.
Në krahasimin vjetor, transporti kryesoi me rritje prej 9,5%. Pas tij u renditën rekreacioni, sporti dhe kultura, me 8,5%, si dhe pijet alkoolike dhe duhani, me 7,8%. Çmimet me pakicë në përgjithësi u rritën me 3,2% në nivel vjetor.
Sipas burimeve, rritja më e theksuar u regjistrua te derivatet e naftës, kryesisht pas konfliktit SHBA-Iran. Ato raportojnë se shtrenjtimi ndikoi edhe në industritë e tjera.