Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, indeksimi me inflacionin prej 2.1% pritet t’i sjellë buxhetit rreth 5.4 miliardë lekë, ose afërsisht 58 milionë euro, të ardhura shtesë nga tatimet dhe doganat në vitin 2027. Efekti lidhet kryesisht me TVSH-në dhe ndryshimin e çmimeve në vlerën e importeve.
Meqë TVSH-ja llogaritet si përqindje e çmimit, rritja e çmimeve shton shumën e tatimit për të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh. Kështu, të ardhurat mund të rriten edhe nëse konsumi nuk shtohet. Sipas përllogaritjeve, efekti i rritjes së çmimeve përbën rreth 11.5% të shtesës së planifikuar të të ardhurave nga tatimet dhe doganat.
Dokumenti parashikon që këto të ardhura të arrijnë në 583.5 miliardë lekë në vitin 2027, krahasuar me 536.2 miliardë lekë në planin e vitit 2026. Diferenca është rreth 46.9 miliardë lekë, ose një rritje prej 8.7%.
Nga shtesa e përgjithshme e të ardhurave, rreth 13.3 miliardë lekë pritet të vijnë nga rritja ekonomike, e llogaritur në masën 2.73%. Së bashku, rritja ekonomike dhe inflacioni parashikohet të sjellin rreth 18.8 miliardë lekë, ose 40% të rritjes së planifikuar të arkëtimeve nga tatimet dhe doganat.
Ndërsa rritja ekonomike lidhet me zgjerimin e aktivitetit prodhues, konsumit dhe të ardhurave, inflacioni mund të rrisë arkëtimet nominale pa shtuar sasitë e mallrave dhe shërbimeve që qarkullojnë në ekonomi. Për buxhetin, kjo krijon një burim shtesë financimi; për familjet, nënkupton se një pjesë më e madhe e shpenzimeve shkon për të përballuar çmime më të larta. Efekti është veçanërisht i ndjeshëm te produktet dhe shërbimet që konsumohen rregullisht, për të cilat familjet kanë më pak mundësi të ulin blerjet.
Përveç ndikimit të çmimeve dhe rritjes ekonomike, qeveria parashikon të ardhura shtesë nga masat fiskale dhe përmirësimi i administrimit tatimor. Masat e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave pritet të kontribuojnë me rreth 10 miliardë lekë në vitin 2027. Strategjia synon zgjerimin e bazës tatimore, kufizimin e informalitetit dhe evazionit fiskal, përmirësimin e mbledhjes së detyrimeve dhe rritjen e efektivitetit të administratës tatimore.
Masat fiskale buxhetore të vitit 2027 pritet të sjellin 4.4 miliardë lekë, ndërsa masat e ndërmarra në vitet e mëparshme parashikohet të japin një efekt shtesë prej 1.4 miliardë lekësh. Ministria ka përfshirë gjithashtu rreth 12.8 miliardë lekë nga korrigjime të bazuara në faktorë të tjerë.